Ky muaj e konfirmoi si një nga yjet më të shkëlqyer të basketbollit amerikan. Në moshën 20-vjeçare, Luka Donçiç mund ta ndjejë veten pa komplekse përkrah Lebron Xhejmsit, Xhejms Hardenit, Kevin Durantit apo Janis Antetokumpos, në “Olimpin” e NBA-së, dhe kjo u arrit falë një muaji nëntor fenomenal. Djaloshi nga Sllovenia e mbylli këtë periudhë me paraqitjen e shkëlqyer në fushën e Feniksit, ku shënoi 42 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu 11 asiste, duke mos arritur tripëll dabëllin vetëm për një top në tabelë.
Dallasi fitoi 120-113, ndërsa Donçiç arriti një mesatare tripëll dabëlli në nëntor, duke u bërë i treti lojtar në historinë e NBA-së që ia del, pas Oskar Robertsonit (e ka bërë 8 herë) dhe Rasëll Uestbrukut. Mesatarja e tij për nëntorin është 31.7 pikë, 10.4 topa në tabela dhe 10.4 asistë. Forma e tij po e ndihmon Dallasin të pretendojë, dhe skuadra nga Teksasi është në vendin e 4-ët në Konferencën Perëndimore, me 12 fitore e 6 humbje.
Sfidanti.al