Luiza Gega niset për në Kenia, bashkë me të “pasardhësja” Redia Dauti!

Tashmë, është zhvendosur jashtë vendit. Luiza Gega dhe trajneri i saj, Taulant Stëmasi ndodhen që sot në Kenia për të vazhduar atje fazën përgatitore për vitin e ardhshëm. Stërvitjet do të jenë në kushte të tjera klimaterike, pas udhëtimit të sotëm, ndërsa kjo periudhë do të zgjasë disa muaj. Programi i punës do të jetë i ngjeshur dhe natyrisht nuk do të jetë e lehtë për atleten shqiptare, e shkëputur nga familja dhe e izoluar në qendrat stërvitore në Afrikë. Gjithsesi, kampionia e Europës dhe e Mesdheut është mësuar prej vitesh me këtë largësi, siç e ka thënë edhe trajneri Stërmasi. Objektivi kryesor i Gegës vitin e ardhshëm është kampionatin botëror që zhvillohet në gusht 2023 në Budapest të Hungarisë, por edhe gara të Ligës së Diamantit apo gara në salla të mbyllura, me kampionatin europian që mbahet në Stamboll të Turqisë në mars. Risia e këtij viti është se bashkë me Gegën dhe Stërmasin, në Kenia ka udhëtuar edhe atletja e re shqiptare, Redia Dauti, që cilësohet pasardhëse e kampiones së Europës.

Sfidanti.al