Në moshën 34-vjeçare vështirë të jesh kampion i madh në atletikë. Mo Farah mbetet i tillë dhe fitoi medaljen e artë në 10 000 metra në Botërorin që po mbahet në Londër. Përfaqësues i Britanisë së Madhe, Farah, bëri të lumtur mijëra tifozë në stadium dhe jashtë tij, duke fituar një betejë sportive, por edhe një luftë fizike dhe psikologjike. Dy herë atë thuajse e rrëzuan, por “plaku” me origjinë nga Somalia ia doli të kthehej në krye dhe të triumfonte në një finish dramatik, me vetëm pak të dhjetat më shpejt sesa Xhoshua Kiprui Çeptegei i Ugandës. Koha e britanikut ishte 26’49”53.
Farah sfidoi moshën dhe rivalët dhe tani ka 6 medalje të arta botërore, një ar më pak sesa rekordmeni Usain Bolt, nëse llogariten vetëm medaljet në garat individuale. Bolt ka 7, Farah 6, po aq sa Majkëll Xhonson i SHBA-së dhe Sergej Bubka, përfaqësues i Bashkimit Sovjetik dhe Ukrainës. Pas tyre, Karl Ljuisi i famshëm amerikan, Kenenisa Bekele i Etiopisë dhe Lars Ridel i Gjermanisë. Farah mund ta barazojë Boltin (jo në numrin total të medaljeve) nëse fiton edhe garën botërore të 5 000 metrave.
I lindur në Somali, dhe i emigruar 8 vjeç në Britani, ai quhet një “miks” suksesi i dy vendeve, gjenetikisht nga prindërit, por edhe i modelit britanik të sportit. Nuk dihet sesa do të zgjasë “fenomeni Farah”. Fenomeni “Ljuis” zgjati deri 35 vjeç, fenomeni “Bubka” deri 34, ndoshta njeriu i lindur në Afrikë mund të shkojë më larg.
Sfidanti.al