Lebron Xhejms nuk e hedh poshtë mundësinë që të luajë në Olimpiadë!

Sezoni vazhdon shkëlqyeshëm dhe titulli mund të fitohet. Lebron Xhejms dhe Lejkërsat janë më në fund një shoqëri e lumtur, veçse në një sezon tepër të ngarkuar, del edhe një sfidë tjetër, Lojrat Olimpike. “Mbreti i basketbollit” është përfshirë në listën paraprake të Federatës Amerikane të Basketbollit për Tokio 2020, një listë me 44 emra, ku ndodhen të gjithë yjet e mëdhenj të NBA-së.

Lebroni dhe shoku i tij tek Lejkërsat, Entoni Dejvis, pritet të japin përgjigjen e tyre, ndërsa janë të impenjuar në vitin sportiv, me ambicie për të fituar titullin në NBA. Xhejmsi u pyet për këtë në përfundim të ndeshjes së luajtur në Los Anxhelos ndaj Feniksit, fituar 125-100, ku ai iu afrua një tripëll dabëlli, duke shënuar 17 pikë, kapur 8 topa në tabela e shërbyer 9 asistë, si dhe duke kaluar legjendën Majkëll Xhordan në numrin e gjuajtjeve të lira të realizuara.

“Emri im është në listë, dhe unë ndihem i nderuar, – u shpreh Lebroni, – natyrisht, ka shumë gjëra për t’u marrë parasysh. Unë shpresoj që të arrijmë sa më larg në plej of, pra duhet parë si do të shkojë sezoni, si do të ndihem fizikisht dhe mendërisht. Duhet të flas edhe me familjen time, pra ka shumë faktorë. Por, gjithsesi, emri im është në listë”.

Lebroni ka luajtur tri herë në Lojrat Olimpike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke fituar medaljen e artë në 2008 në Pekin dhe në 2012 në Londër, por duke qenë edhe pjesë e skuadrës që humbi ndaj Argjentinës në 2004, disfata e fundit amerikane në Olimpiadë. Shtetet e Bashkuara janë fuqia dominuese e basketbollit, sidomos në Lojrat Olimpike duke fituar 15 medalje ari, por vitin e kaluar dështoi në Kampionatin Botëror ku nuk ishin yjet kryesorë, ndaj amerikanët nuk dëshirojnë që kjo të përsëritet.

Në Olimpiadë kanë luajtur që nga 1992 yjet e NBA-së, si Majkëll Xhordan, Mexhik Xhonson, Kobi Brajant, Shakill O’Nill, Kevin Durant apo Lebron Xhejms.

Sfidanti.al