Lebron Xhejms, kampioni i “trinisë së shenjtë” në basketboll!

Në fenë katolike, “trinia e shenjtë” përbëhet nga Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, në basketboll ajo do të thotë “pikë, topa në tabela, asiste”. Lebron Xhejms është kampioni i trinisë së shenjtë në lojën e koshit, siç e tregoi edhe në fitoren shumë të vështirë të Klivlendit në fushën e Filadelfias. “Mbreti” shënoi 26 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 13 asistë, ndërsa Kavaliers fitoi 112-108 ndaj një rivali që nuk pritej ta lodhte kaq shumë. Kur mendon se Kajri Irving shënoi 39 pikë të tjera dhe Kevin Lov 25, atëherë kupton sesa dobët luajti Klivlendi në mbrojtje.
Xhejms, gjithsesi, më shumë mund të quhet një kampion i “dyshes së shenjtë”, pasi është i paprekshëm kur vjen puna te kombinimi “pikë-asistë”. Në “tripëll dabëll”, me shumë gjasa atij do t’ia marrë vendin Rasëll Uestbruk që ka thuajse po aq “trini të shenjtë” sesa Lebroni, edhe pse është më i ri në moshë.
Kampioni i madh i NBA-së, megjithatë, ndihet i qetë. Ai është i vetmi në kaq e kaq shumë kohë që arrin 6 finale radhazi, ndërsa është tri herë kampion i NBA-së dhe kampion në fuqi. Nën udhëheqjen e tij, Klivlendi përmbysi një dizavantazh 1-3 ndaj Golden Stejtit të paprekshëm të sezonit të kaluar, ndaj rënie të tilla të nivelit si ndaj Filadelfias mund të tolerohen.