“Tërbohet” Luis Enrike: Barcelonë nuk bëmë as pesë pasime radhazi!

Për herë të parë në kushedi sa kohë, dhe në një nga rastet e rralla që nga viti 2008, Barcelona nuk humbi një ndeshje, por humbi në elementin e saj më të fortë, zotërimin e topit. Jo Reali i Madridit, jo Bajerni, por Sociedadi e mbajti më shumë sferën sesa katalanasit në përballjen e ligës spanjolle. Trajneri Luis Enrike, natyrshëm, ishte i tërbuar pas takimit dhe burime në skuadrën katalanase thonë se ai shpërtheu ndaj lojtarëve.
“Loja jonë ishte katastrofë, – mësohet të ketë thënë ai, – ne nuk dinim të bënim as 5 pasime radhazi”. Edhe në intervistat televizive, Luis Enrike nuk u kursye. “Barazimi ishte një mrekulli për ne, – theksoi trajneri i Barçës, – nëse do të kishim fituar, do të kishte qenë jo e ndershme, ndaj edhe unë shkova dhe përgëzova Sociedadin”.
Dy barazime radhazi në kampionat do të thotë se Reali është tani 6 pikë përpara, por Luis Enrike shqetësohet më shumë nga paraqitja sesa nga distanca prej madrilenëve. “Nuk fituam as pesë për qind të dueleve, – tha ai, – kur luan kështu, nuk mund të bësh asgjë. Ne përfituam vetëm nga moment i izoluar loje klasi mes Nejmarit dhe Mesit”. Barça luan në mesjavë me Herkulesin në Kupë, ndërsa të shtunën zhvillon “El Klasikon” e parë të kampionatit në “Kamp Nou” ndaj Realit.