Lebron vrapon drejt historisë, mbi 9 000 asistë, ndërsa i afrohet Brajantit për pikët!

Nuk ishte ndeshja e tij më e mirë, por shërbeu dyfish. Së pari, Lebron Xhejmsi ndihmoi Lejkërsat që të fitonin përballjen e vështirë ndaj një rivali si Dallasi, dhe së dyti, ngjiti një tjetër shkallë drejt madhështisë. Ylli 34-vjeçar u bë i 9-ti në historinë e NBA-së që ka të paktën 9 000 asistë në karrierë, saktësisht 9 009. Lebroni shërbeu 13 asistë në suksesin 108-95, duel në të cilin shënoi pak, vetëm 13 pikë.

Nuk dihet nëse ai do të ketë aq vite të mbetura për të synuar shifrën e 10 000 asisteve, gjë që do ta afronte me legjendën e Lejkërsave, Mexhik Xhonson, që është në vendin e pestë. i vlerësuar si basketbollisti ndoshta më i kompletuar në histori, Lebroni është i vetmi lojtar në basketbollin amerikan që ka mbi 30 000 pikë, mbi 9 000 topa në tabela, dhe mbi 9 000 asistë. As gjigandë të tillë si Majkëll Xhordan, Xhabari, Bill Rasëll apo Kobi Brajant nuk kanë shifra të tilla.

Xhejmsi është në vendin e katërt të renditjes së shënuesve më të mirë të të gjitha kohëve në NBA, madje duke qenë vetëm rreth 300 pikë prapa Brajantit. Shpejt, ai do ta kalojë legjendën e mëparshme të Lejkërsave për të qenë në podium, e për të synuar edhe dy më të mirët, Karl Malounin dhe liderin Karim Abdul Xhabar.

Sfidanti.al