Lebron Xhejms është “Mbreti”, një madhështi që shkëlqen në çdo drejtim. Basketbollisti më i mirë i botës po i afrohet pandalshëm kreut të renditjes së shënuesve më të mirë të NBA-së, ndonëse koshat nuk kanë qenë fiksimi i tij kryesor.
Ndryshe nga Kobi Brajant, ylli i Klivlendit i përngjan më shumë Majkëll Xhordanit, pasi dëshiron të fitojë dhe vetëm të fitojë. Kjo nuk e ka penguar edhe në realizim. Mbrëmjen e fundit ai kaloi Hakim Olaxhuonin, një tjetër gjigand, duke u ngjitur në vendin e 10-të.
Kapiteni i Klivlendit ka tani 26 970, ndaj 26 946 të ish-kapitenit të Hjustonit që fitoi dy tituj kampionë në vitet 90-të. Përpara Xhejmsit, jo larg, janë Elvin Hejsi me gati 350 pikë më shumë dhe Mozes Malouni me gati 500.
Legjenda e kampionit në fuqi të NBA-së rritet edhe më shumë sepse ai nuk është lojtar që del në fushë thjesht për egon e tij personale. Lebron di të asistojë shokët, lufton shumë mirë në tabela, mbron dhe sulmon mirë, vjedh topa dhe bllokon gjuajtje të kundërshtarëve.
Vështirë të arrijë të fitojë aq shumë tituj sa Bill Rasëll apo Majkëll Xhordan, po padyshim bën pjesë në podiumin e më të mirëve të basketbollit për të gjitha kohët.
Falë tij, Klivlendi ka 6 fitore dhe 0 humbje këtë sezon, duke qenë favorit për t’i mbrojtur “unazat” e fituara vjet në finalen e madhe ndaj Golden Stejtit.
B. Kuka