Nuk mund të lodhemi duke shkruar për Lebron Xhejmsin, kur ai vetë nuk lodhet duke luajtur basketboll. Dhe për çfarë basketbolli bëhet fjalë! Në NBA ai synon të thyejë rekorde të rëndësishëm në shënimin e pikëve, edhe pse nuk ka qenë i “fiksuar” për t’i thyer. Gjithsesi, kjo nuk e pengoi që të bëhej më i riu lojtar në historinë e basketbollit amerikan që të arrinte kuotën 27 000 pikë. As Majkëll Xhordan, as Kobi Brajant, as Karl Maloun dhe as Karim Abdul Xhabar nuk ishin në këtë nivel pikësh në moshën 31-vjeçare. Lebronit iu deshën vetëm 8 minuta për ta bërë, ndërsa deri në fund të ndeshjes ndaj Uashingtonit ai realizoi 27 pikë.
Klivlendi fitoi 105-94 në fushën e vet, duke mbetur skuadra më e mirë e sezonit në NBA, me vetëm 1 humbje deri tani. Xhejms ka hyrë, ndërkaq, në 10-en e shënuesve më të mirë në histori, me 27 020 pikë gjithsej, rreth 300 pikë larg Elvin Hajesit. Gjithsesi, të mbërrijë deri tek 38 387 pikët e Xhabarit nuk duket aspak e lehtë. Sa do ta mbajë fiziku Lebron Xhejmsin?
B. Kuka