Lara Colturi, e treta në Kupën e Botës

Lara Colturi ka bërë një tjetër paraqitje të shkëlqyer në Kupën e Botës. Skiatorja italiane, e cila përfaqëson Shqipërinë, ka qenë pjesëmarrëse në Are të Suedisë, ndërsa ka bërë garën e slallomit gjigant. Lara Colturi është renditur e treta në këtë slallom gjigant, teksa ka patur kohën 1’54”10. Gara është fituar nga italiania Federika Brinjone me kohën 1’52”67, teksa ka marrë suksesin e saj numër 36, i nënti për sezonin, ndërsa po i afrohet rekordit të Alberto Tombës me 11 fitore sezonale. Në vendin e dytë Alise Robinson e Zelandës së Re në kohën 1’54”03.

Për Lara Colturin ky është podiumi i tretë këtë sezon. Dhe gjithçka vjen përpara etapës së fundit në San Valli të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të zhvillohet në periudhën 20-28 mars. E diela është për slallomin special, po në Are të Suedisë, duke shpresuar që Lara Colturi do të bëjë një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme dhe një tjetër ngjitje në podium.

sfidanti.al