Në vitin 1996, ai pati një ofertë (siç thotë vetë) për të shkuar tek Ferrari, por refuzoi. Ishte koha kur Mikael Shumaher ende nuk e kishte krijuar dominimin me “kokëkuqen”, por bënte duel me Damon Hillin e Zhak Vilnëvin, që i merrnin titujt kampion me Uilliamsin, ndërsa Dejvid Kultardi nuk deshi ta provonte veten në mjedisin e kulturës italiane. Këtë gjë nuk ia uron as sot Ljuis Hamiltonit.
Një skocez i Kultardi, por gjithsesi i kulturës britanike, gjykon se anglezi Hamilton nuk mund të përshtatet në vlerat e kombit në Apenine, që është vërtet europian, vërtet perëndimor, por jo aq sa britanikët. “Ai nuk do t’i përshtatej kulturës tek Ferrari , – shprehet Kultardi, sot një komentator në Formula 1, – ashtu si edhe unë që refuzova në 1996. Ai është i prerë për skuadrat britanike”. Kultardi duhet ta dijë se Mercedesi është një skuadër gjermane, sidoqoftë. Ai nuk sqaron se përse Hamiltoni nuk duhet të shkojë tek Ferrari, por ndoshta sepse italianët kanë një mënyrë më të ndryshme të të menduarit të gjërave, ku liria personale vlerësohet më pak sesa në Angli, dhe Hamiltoni është tipik njeri i lirë. Shumaheri ndoshta ishte më i disiplinuar, më i përshtatshëm për italianët.
Sfidanti.al