Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike të ardhshme ka zgjedhur Victor le Masne të jetë drejtori muzikor i katër ceremonive dhe kompozitori i himnit zyrtar të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike “Paris 2024”. I njohur për talentin dhe inovacionin e tij në fushën e muzikës, Lë Man ka shkruar dhe kompozuar një temë muzikore magjepsëse që ndërthur në mënyrë delikate tingujt simfonikë dhe elektronikë për të mishëruar frymën dinamike dhe universale të Paris 2024. Himni zyrtar i titulluar ‘Parada’, u interpretua për herë të parë nga Orkestra e Marsejës një ditë më parë kur Flaka Olimpike mbërriti në Marsejë, pas një udhëtimi të gjatë, me anijen ‘Belem’, që nisi në Olimpia më 16 prill.
Himni do të shoqërojë të gjitha momentet kryesore të Lojërave deri në çdo garë. Ai do të jetë i disponueshëm në disa versione, me tinguj dhe ritme që do të ndryshojnë sipas rastit. “Jam i nderuar dhe i emocionuar të kontribuoj në përvojën e paharrueshme të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike “Paris 2024” si kompozitor i himnit të kësaj olimpiade. Qëllimi im ishte të krijoja një kolonë zanore origjinale që jo vetëm do të shoqërojë momentet më të paharrueshme të këtyre Lojërave, por edhe do të mbetet në kujtimet e të gjithë brezave”. Victor le Masne po punon gjithashtu edhe për muzikën e të katër ceremonive të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike Paris 2024, secila prej të cilave do të ketë identitetin e vet zanor.
sfidanti.al