Krejçikova fiton “Rolan Garosin”, ndjek traditën e Mandlikovës e Navratilovës!

Tenistja e fundit nga vendi i saj që ia kishte dalë, kishte qenë Hana Mandlikova në 1981. Sportistja e shquar nga ish-Çekosllovakia triumfoi në “Rolan Garos”, ndërsa sot pas 40 vjetësh, këtë “trimëri” e përsërit Barbora Krejçikova. Vajza nga Brno triumfoi në finalen ndaj ruses Anastasia Pavliuçenkova, me rezultatin 2-1 me sete (6-1, 2-6, 6-4). Menjëherë pas fitores, Krejçikova deklaroi se këtë sukses ia dedikon ish-tenistes së shquar çeke, Jana Novotna, e cila u shua në 2017 e sëmurë me kancer. “Këto dy javë janë për Janën, – tha ajo, – shpresoj që të ketë ndjekur dhe që të jetë ndjerë mirë atje lart”. Novotna fitoi Uimbëlldonin në 1998.

Ky ishte titulli i parë i Krejçikovës në Grand Sleme, ndërsa në Paris ka fituar edhe një tjetër teniste çeke, veçse me pasaportë amerikane. Bëhet fjalë për legjendën Martina Navratilova, e lindur në Pragë dhe e natyralizuar amerikane në 1981, e cila triumfoi në “Rolan Garos” në 1982 e 1984.

Sfidanti.al