Gjokoviç fiton sërish Rolan Garosin, mund Cicipasin në finalen epike!

Iu deshën sërish më shumë se 4 orë, por më në fund ia doli, dhe siç u shpreh vetë, realizoi një ëndërr. Novak Gjokoviç fitoi finalen e “Rolan Garosit” ndaj grekut Stefanos Cicipias me shifrat 3-2, duke arritur në 19 Grand Sleme në karrierë, vetëm 1 më pak sesa dy legjendat e tjera, Rozher Federer dhe Rafael Nadal. Finalja ishte jashtëzakonisht e vështirë me Cicipasin që kryesoi 2-0 me sete dhe me numrin 1 të botës që duket se ndjeu pasojat e vapës. Dy setet e para përfunduan 7-6 e 6-2 për Cicipasin, por Nole arriti të reagonte siç ka bërë shpesh, siç bëri edhe në të tetat e finaleve ndaj italianit, Muzeti kur gjithashtu i humbi dy setet e para.

Tenisti serb nga Beogradi fitoi 3 setet e tjerë radhazi 6-3, 6-2 e 6-4 në një ndeshje që zgjati 4 orë e 9 minuta. Gjysmëfinalja ndaj Rafael Nadalit të enjten zgjati 4 orë e 11 minuta, ndërsa pati katër sete. Në moshën 34-vjeçare, Gjokoviç po tregon se nuk dëshiron të ndalet dhe se ndihet ende shumë i fortë fizikisht, ndërsa psikologjikisht ka qenë gjithnjë mirë. Me rënien e Federerit, dhe me dobësinë relative të Nadalit në Grand Slemet e tjerë si në Uimbëlldon, US Open dhe Australian Open, pritet që Gjokoviçi të jetë rekordmen në Grand Sleme në të ardhmen. Ky ishte “Rolan Garosi” i dytë i fituar prej Noles pas atij të vitit 2016.

Sfidanti.al