Tifozët mund të mos kenë mbetur shumë të kënaqur, por gjithsesi ky ekip arriti diçka të madhe. Kurrë më parë Anglia nuk e kishte fituar ndeshjen e hapjes në finalet e një Kampionati Europian, por më në fund goli i të kritikuarit Rahim Stërling, i dha fund pritjes. Pas 10 tentativash, shpikësit e futbollit ia dolën e ndoshta mund të kenë më pak presion psikologjik në vazhdim. Fitorja në “Uembli” pasoi dështime të mëdha të një ekipi të quajtur gjithnjë pretendent për tituj.
Katër vjet më parë, në Euro 2016, kombëtarja e “tre luanëve” u ndal në barazim 1-1 nga Rusia shumë pak e vlerësuar. Në Euro 2012, barazimi po 1-1 me Francën nuk u quajt rezultat aq shumë i keq, duke pasur parasysh se për shumë vjet francezët ishin kthyer në “mace të zezë” për ishullorët. Pas mungesës në 2008, në Euro 2004, u dorëzuan para magjisë së Zinedin Zidanit që shënoi dy gola në pjesën e dytë në fitoren 2-1, pasi anglezët kishin kryesuar 1-0 dhe kishin humbur penallti.
Në vitin 2000, erdhi një humbje e dhimbshme 2-3 ndaj Portugalisë pas gabimeve të Anglisë, që pasoi barazimet 1-1 në Euro 1996 me Zvicrën dhe 0-0 në Euro 1992 ndaj Danimarkës. Një nga tronditjet më të mëdha të Europianëve ishte humbja e anglezëve të Bobi Robsonit ndaj Irlandës që drejtohej nga Xheki Çarlton, në ndeshjen e parë në finalet e turneut në Gjermani në 1988.
Nuk pati fat më të mirë skuadra në vitet 70-të, me humbjen ndaj Gjermanisë Perëndimore, në 1980 me barazimin ndaj belgëve, dhe po ashtu në vitet 60-të edhe pse ishte e aftë që të fitonte përballje prestigjioze si ajo ndaj Përfaqësueses së Botës. Në vitet 60-të, u eleminua dy herë nga Franca dhe Jugosllavia.
Ndeshjet e para të Anglisë në Europianë
Angli-Kroaci 1-0, 2021
Angli-Rusi 1-1, 2016
Francë-Angli 1-1, 2012
Francë-Angli 2-1, 2004
Portugali-Angli 3-2, 2000
Angli-Zvicër 1-1, 1996
Danimarkë-Angli 0-0, 1992
Angli-Irlandë 0-1, 1988
Belgjikë-Angli, 1-1, 1980
Angli-Gjermani 1-3, 1972
Jugosllavi-Angli 1-0, 1968
Angli-Francë 1-1, 1964
Sfidanti.al