Kovidi bën lëmsh Formula 1, “fluturon” Shangai, shtyhet gara e Melburnit!

Pas dy vitesh e deshëm një tjetër start këtu. Nuk do të mund ta kemi pasi Çmimi i Madh i Australisë u anulua për të dytën herë radhazi, dhe për të njëjtin shkak, koronavirusin. Shpërthimet e epidemive në Melburn dhe në shtetin e kontinentit të Jugut detyruan organizatorët që ta shtynin këtë garë për në 21 nëntor, me shpresë se atëherë kushtet do të jenë më të mira. Jo vetëm kaq, sepse ka edhe më keq.

Çmimi i Madh i Kinës nuk u shty, por u hoq fare nga kalendari, diçka që ndodh për të dytin vit radhazi. Në Shangai do të garohej në 11 prill, dhe gara kineze mund të kthehet këtë vit vetëm nëse hiqet ndonjë tjetër. Sipas të gjitha gjasave, sezoni i ri do të nisë në 28 mars me konkurrimin në pistën e Bahreinit, të paktën këto janë planet.

Anulimet dhe shtyrjet kanë ardhur si pasojë e kufizimeve në lëvizje të vendosura nga shtetet si Austrialia dhe Kina. Vetë Formula 1 ka krijuar një sistem masash mbrojtëse ndaj Kovidit, gjë që ka sjellë vështirësi dhe shpenzime financiare shtesë, por as këto nuk po ndihmojnë. Sezoni i kaluar pati më pak Çmime të Mëdha sesa ishte parashikuar, shumë gara u anuluan e u shtynë, ndërsa u krijuan të tjera në kushtet e pandemisë.

Ljuis Hamilton fitoi titullin e 7-të botëror duke barazuar rekordin e legjendës Mikael Shumaher, ndërsa këtë vit shpreson të bëhet piloti me më shumë kampionate në histori.

Sfidanti.al