Klipersat, dyshja e yjeve, Leonard-Xhorxh iu përgjigj “kushtrimit të të parëve”!

Përballë një Juta Xhazi që ishte kthyer në një rul që shtypte gjithçka që i dilte përpara, duhej dhënë një përgjigje dhe në Los Anxhelos e kishin të qartë sesi ishte puna. Këtë përgjigje në emër të Klipersave mund ta jepnin vetëm Kauai Leonard dhe Pol Xhorxh, dhe për fatin e kalifornianëve, ata u përgjigjën në apel. “Kushtrimi i të parëve” ishte i fuqishëm në ndeshjen e tretë të gjysmëfinaleve të plej ofit në Konferencën Perëndimore, dhe papritur Klipersat u kthyen nga “viktima të paracaktuara” në triumfatorë.

Leonard shënoi 34 pikë, duke shkëlqyer sidomos për dy pikë (13-18 realizimi i gjuajtjeve) dhe në gjuajtjet e lira (5-5). Po ashtu, kapi 12 topa në tabela, shërbeu 5 asistë, vodhi 2 topa e bllokoi 1 gjuajtje, duke luftuar shumë në mbrojtje. Pol Xhorxh i ndenji në krah me 31 pikë, 3 topa në tabela e 5 asistë, Batëm shtoi 17 pikë, po aq sa Xhekson. Plot 11 nga 12 basketbollistët vendas shënuan pikë dhe kjo ishte vendimtare për fitoren 132-106. Donovan Miçëll nuk zhgënjeu për Juta Xhazin me 30 pikë, 5 topa në tabela, 4 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, por shokët e tij bënë më pak. Ajngles shtoi 19 pikë, Gober pati 12 pikë e 10 topa në tabela dhe Klarkson 14. Juta është skuadra më e mirë e sezonit të rregullt dhe sërish favorite për të shkuar në finalen e Konferencës, por nëse dyshja Leonard-Xhorxh luan kaq mirë, nuk do ta ketë të lehtë.

Sfidanti.al