Klej Tompson, rekord i NBA-së në Arenën e Xhordanit

Iu deshën vetëm 27 minuta, ndërsa duket se gjeti vendin e duhur për të dalë në “kopertinë”. Klej Tompson tregoi edhe një herë se përse Golden Stejti është superfuqia e paprekshme e NBA-së, pasi theu rekordin e koshave 3-pikësh në një ndeshje, madje me shpejtësi rrufeje.

Kapiteni i kampionëve shënoi 14 tripikësha, për të kaluar rekordin e shokut të tij të skuadrës, Stefën Kërri (13 realizime ndaj Nju Orlinsit në 7 nëntor 2016). Tompson nuk mund të kishte gjetur vend më të mirë për të qenë rekordmen, pasi “heroizmi” i tij ndodhi në Arenën e Çikago Bullsave, aty ku dikur shkëlqente Majkëll Xhordani.

Numri 11 shënoi gjithsej 52 pikë, duke lënë pas një fillim të dobët të sezonit, ku saktësia e tij kishte qenë tepër e ulët. Golden Stejti fitoi ndaj Çikagos 149-124, ndërsa ekipi i trajnerit Stiv Kerr ka luksin që të mbështetet me radhë tek tre yjet kryesorë, Kevin Durant, Stefën Kërri e Klej Tompson.

Kjo ishte fitorja e shtatë e kampionëve, që kryesojnë Konferencën Perëndimore me bilancin 7-1, duke mbetur favoritë për titull për të tretin sezon radhazi.

Sfidanti.al