Klauzola e Verstappen me Red Bull

Lajmet që lidhen me mundësinë e largimit të Max Verstappen nga Red Bull-i para se t’i përfundojë kontrata, e cila skadon në fund të vitit 2028, po fitojnë gjithnjë e më shumë forcë dhe po krijojnë një valë të vërtetë spekulimesh.

Shumë analistë besojnë se sezoni aktual i Formula 1 mund të jetë i fundit i Verstappen me ekipin e Milton Keynes dhe rënia e rendimentit të tij gjatë garave me Red Bull-in mbështet këto parashikime. Konsultanti i ekipit, Helmut Marko, e ka konfirmuar mundësinë e një largimi dhe madje ka sugjeruar që kjo temë do të jetë shumë relevante gjatë verës, periudhë kur pritet që Verstappen të aktivizojë klauzolën që i lejon atij të largohet më herët nga kontrata.

Por çfarë është kjo klauzolë që ekziston në kontratën e kampionit të katërfishtë të botës? Sipas shumicës së burimeve, klauzola është e lidhur me performancën e tij në kampionat, por çfarë do të thotë vërtet kjo?

Sipas gazetës britanike ‘The Daily Mail’, Verstappen mund të ndërpresë kontratën me Red Bull-in nëse gjatë verës gjendet nën vendin e tretë në klasifikimin e pilotëve. Megjithatë, nuk është specifikuar saktësisht kur mund të aktivizohet kjo klauzolë.

Aktualisht, Max ndodhet në vendin e tretë në klasifikim, me 6 pikë më shumë se George Russell i Mercedes-it, dhe para tij janë dy pilotët e McLaren, Lando Norris dhe Oscar Piastri. Kjo ka ngritur pyetje nëse Verstappen do të arrijë të mbajë vendin e tij në renditje dhe nëse ai do të jetë në gjendje të vazhdojë kontratën me Red Bull-in për më shumë vite, apo nëse do të vendosë të largohet më herët për një sfidë tjetër.

sfidanti.al