Kevin Durant kalon te Houston Rockets!

Një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së NBA këtë verë është finalizuar: Kevin Durant largohet nga Phoenix Suns për t’u bashkuar me Houston Rockets, vetëm pak orë para finales së madhe të kampionatit. Ylli 36-vjeçar është tashmë pjesë e një skuadre me ambicie të mëdha në Perëndim. Transferimi i Durant te Houston përfshin një paketë të rëndësishme: Jalen Green, Dillon Brooks, zgjedhja e 10-të në draftin e këtij viti dhe pesë zgjedhje të dyta shkojnë drejt Phoenix. Lajmin e konfirmoi fillimisht Shams Charania nga ESPN. Durant, 15 herë All-Star dhe një nga basketbollistët më të mirë të brezit të tij, rikthehet nën urdhrat e Ime Udoka, trajner i Rockets me të cilin kishte bashkëpunuar te Brooklyn Nets dhe në kombëtaren amerikane. Houston e mbylli sezonin me 52 fitore dhe vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit. Tani, me Durant në krye të ofensivës, bashkë me Alperen Sengun dhe Amen Thompson, Rockets pritet të jenë një forcë e frikshme sezonin e ardhshëm. Për Durant, kjo do të jetë përpjekja e radhës për t’u rikthyer në majat e NBA-së pas një periudhe dyvjeçare te Phoenix ku, edhe pse arriti statistika të jashtëzakonshme (26.6 pikë mesatarisht sezonin e fundit), skuadra dështoi totalisht në objektivat kolektivë. Tani nis një kapitull i ri dhe Houston ka vendosur të besojë te legjenda.

 

sfidanti.al