Nga Suhareka në Arad, Mevlan Zeka hedh e hapin hapin e radhës

Mevlan Zeka nuk ka ndërmend të ndalet. Golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës në sezonin që lamë pas ka bërë hapin e radhës në karrierën e tij. Këtë herë drejt futbollit rumun, ku ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin UTA Arad.

Një emër që shpërtheu me 22 gola me FC Suharekën, Zeka ishte më shumë se një lider, ishte kapiteni, njeriu kyç dhe zëri që frymëzonte ekipin. Tani, me 1.82 metra gjatësi dhe një instinkt të lindur për golin, ai do të kërkojë të bëjë të njëjtën gjë në elitën e  futbollit të Rumanisë.

Por ky nuk është një lojtar që vjen nga hiçi. Në historikun e tij janë klube të mirënjohura të Kosovës si Vëllaznimi, Liria, Feronikeli, Gjilani dhe Ballkani, me të cilin ka shkruar histori në Evropë dhe ka ngritur lart trofe të shumtë; 3 tituj kampioni, kupa dhe superkupa.

Zeka nuk është thjesht një sulmues me gola në këmbë. Ai është një përvojë që vjen nga kualifikueset e Champions League, Europa League dhe Conference League, një armë që UTA Arad shpreson ta shndërrojë në garanci për sukses.

Ky transferim nuk është vetëm një hap i madh për Zekën, por edhe një tregues se Superliga e Kosovës po rrit lojtarë që bëjnë jehonë jashtë vendit. Dhe për UTA Arad? Një përforcim që nuk vjen për të plotësuar numrat, por për të bërë diferencën.

sfidanti.al