Nuk dihet nëse ka pasur ndonjëherë Ljuis Hamiltoni një sezon më të rrëmujshëm se ky. Këtë nuk e tregon fakti se po humbet titullin botëror në favor të Maks Verstapenit, sepse këto janë gjëra që ndodhin në sport, por sepse kurrë më parë makina e tij Mercedes nuk ka qenë në një lëmsh kaq të madh. Kampioni i botës në fuqi do të dënohet me zbritje me 5 vende në nisje të garës së të dielës në Brazil sepse skuadra sërish u detyrua t’ia ndërronte motorin. Është e disata herë që kjo ndodh këtë sezon të Formula 1, dhe disa herë anglezi 36-vjeçar ka marrë dënime të tilla që e kanë kompromentuar jo pak përpjekjen e tij për titullin e 8-të botëror, që do të ishte një rekord mbi rekordin që mban Shumaheri dhe ai vetë. Hamiltoni fitoi vendin e parë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Brazilit, e kjo do ta ndihmojë të niset i pari në “sprintin” e sotëm që do të përcaktojë rendin e nisjes së garës. Hamilton ishte më i shpejti duke lënë pas Verstapenin me Red Bull, ndërsa Valteri Botas po i Mercedesit doli i treti.
Sfidanti.al