Juta Xhazi reagoi në momentin më të vështirë, pikërisht ndaj Denverit!

Pa problem që patën përballë një skuadër të fortë dhe një lider si Nikola Jokiç, lojtari më i mirë i sezonit të kaluar, dhe një nga kryesorët edhe tani. Juta Xhaz gjeti pikërisht këtë ndeshje për të reaguar pas 4 humbjeve radhazi, me një fitore të denjë për respekt, 125-102, madje jashtë fushe. Donovan Miçëll shënoi 31 pikë, ndërsa heroi kryesor ishte francezi Rudi Gober me 18 pikë e 19 topa në tabela. Bojan Bogdanoviç shtoi 21 pikë në fitore. Goberi mungoi për 5 ndeshje pasi doli pozitiv për Kovid, ndërsa Juta i ka fituar të tria ndeshjet ndaj Denverit këtë sezon, diçka shumë e veçantë. Jokiç nuk është se luajti keq, përkundrazi dhe realizoi një tripëll dabëll tjetër me 25 pikë, 15 topa në tabela e 14 asistë. Qendra serbe është baraz me Uestbrukun këtë sezon, nga 9, ndërsa ka 66 në karrierë.

Sfidanti.al