Nuk përbëjnë lajm Miluoki, Hjustoni apo edhe Filadelfia. Të udhëhequr nga yjet e tyre, Antetokunmpo, Hardën dhe Embiid, këta favoritë janë thuajse të kualifikuar, ndërsa emocionet janë të gjitha për fatin e Denverit. Skuadra numër 2 e Perëndimit ishte shumë pranë eleminimit që në pengesën e parë të plej ofit në NBA, veçse në duelin e fundit e barazpeshoi sfidën.
Arriti një fitore të rrallë dhe të vështirë në fushën e San Antonios me përvojë, 117-103, duke barazuar rezultatin në 2-2, ndërsa dy ndeshjet e radhës do t’i ketë në fushën e vet. Ashtu si edhe në sezonin e rregullt, Denveri u mbështet tek ylli kryesor, Nikola Jokiç, i cili dha një paraqitje të madhe. Shtatlarti serb realizoi 29 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe iu afrua një tripëll dabëlli duke shtuar edhe 8 pasime për kosh.
Kishte 7 vjet që Denveri nuk fitonte në San Antonio dhe kjo ndoshta mund të ketë një domethënie të madhe. Thuajse asnjë nga basketbollistët e sotëm nuk ka përvojë në plej of, ndërsa vetë skuadra nga Kolorado nuk ka njohur suksese pas sezonit të rregullt, të paktën në 40 vitet e fundit.
Kjo do të thotë se edhe me barazimin 2-2, Jokiç me shokë sërish mund të dështojnë përballë San Antonios, që është pesë herë kampione e NBA-së. Gjithsesi, duket se Denveri e ka gjetur mënyrën për t’ia dalë ndaj rivalit të rrezikshëm, siç e tregoi në ndeshjen e katërt, ku u mbështet tek forca fizike dhe arriti fitoren.
Sfidanti.al