Jon Cena, një nga figurat më të mëdha në historinë e WWE, i dha fund zyrtarisht karrierës së tij në ring të shtunën mbrëma, duke humbur ndeshjen e fundit përballë Gunther në “Saturday Night’s Main Event” në Capital One Arena, Washington D.C. Ashtu siç e do tradita e mundjes profesionale, Cena “bëri nderin” duke ia dorëzuar fitoren një ylli që do të mbajë kompaninë në të ardhmen. Në një moment historik, ai u dorëzua për herë të parë pas gati 20 vitesh, duke u mposhtur me submission nga Gunther — hera e parë që Cena humbte në këtë mënyrë që nga viti 2005.
Atmosfera ishte thellësisht emocionale. Gunther u prit me fishkëllima, ndërsa hyrja e Cena-s u shoqërua me ovacione të fuqishme. Të gjitha gjestet ikonike të tij — vrapimi drejt ringut, rrëshqitja, përshëndetja — u përjetuan me peshë të veçantë nga tifozët. Cena gjeti kohë edhe të përshëndeste legjenda të pranishme në arenë, mes tyre Kurt Angle, Rob Van Dam dhe Michelle McCool.
Pas ndeshjes, WWE shfaqi një video homazh për karrierën e tij. I rrethuar nga kolegë, Cena u përkul në katër cepat e ringut, hoqi këpucët dhe shiritat e krahëve, duke i lënë aty si simbol lamtumire.
Teksa largohej nga rampa, ai dha përshëndetjen e fundit dhe u shpreh:
“Ka qenë kënaqësi t’ju shërbej për gjithë këto vite. Faleminderit.”
Me këtë fitore, Gunther tashmë ka “pensionuar” emra të mëdhenj si Goldberg dhe John Cena, duke u pozicionuar si një nga figurat më të frikshme të brezit të ri. Ndërsa për Cena-n, gjithçka përfundoi “sipas librit” — një fund i thjeshtë, emocional dhe dinjitoz për një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave në WWE.
sfidanti.al

