Serena dhe Venus Uilliams kanë qenë simboli i tenisit femëror për gati 20 vjet, veçse dy motrat nuk do të kenë mundësi të garojnë së bashku këtë vit në Uimbëlldon. Serena është shtatzënë dhe nderin e familjes në Londër do ta mbrojë vetëm Venusi, veçse Grand Slemi i famshëm ka gjetur një simbol të ri. Janë pikërisht dy motra, të ardhura nga Republika Çeke, madje binjake, të cilat mamaja i ka lindur me vetëm 2 minuta diferencë nga njëra-tjetra.
Ato quhen Karolina dhe Kristina Plishkova, e para numri 3 në botë, dhe e dyta numri 46, dhe premtojnë emocione në një turne më të hapur se zakonisht, pa Serenën dhe Maria Sharapovën. Dy vajzat janë nga 25 vjeç, dhe shumë të lidhura me njëra-tjetrën.
Karolina vjen shumë e fortë, jo vetëm si numri 3 në botë, por edhe si fituese e turneut në Istbërn, prova gjenerale për në Uimbëlldon. Ajo nuk ka fituar ende asnjë Grand Slem, ndërsa në Londër nuk ka arritur më shumë se raundin e dytë, veçse është finaliste në US Open (2016), gjysmëfinaliste në Rolan Garos (2017) dhe çerekfinaliste në Australian Open (2017).
Republika Çeke duket se do të japë disa nga pretendentet kryesore për femra në Uimbëlldon. Vendi me traditë të vjetër tenisi, që ka njohur kampione të shquara si Martina Navratilova apo Jana Novotna, do të ketë edhe një përfaqësuese tjetër të rëndësishme si Petra Kvitova (në foto me trofeun), dy herë kampione e Uimbëlldonit. E plagosur me thikë në dhjetor, ajo është gati dhe cilësohet si favorite së bashku me Karolina Plishkovën.
Sfidanti.al