Imagjinoni një skuadër që rreshton në fushë një pesëshe tërësisht të Ndeshjes së Yjeve. E tillë do të jetë Golden Stejt Uorriors, kampionia në fuqi e NBA-së, që vendosi t’i jepte një përgjigje kalimit të Lebron Xhejmsit tek Los Anxhelos Lejkërsat. Klubi nga Oklendi bindi Kevin Durantin për të nënshkruar kontratën e re 2-vjeçare, që do t’i japë yllit 29-vjeçar 30 milionë dollarë sezonin e ardhshëm dhe, me gjasë, 31 milionë në edicionin 2019-2020.
Jo vetëm kaq, por Golden Stejti ka marrë edhe qendrën e fuqishme Demarkus Kouzins (2.11 metra), që ishte pa kontratë. Kjo do të thotë se kalifornianët do të kenë këtë formacion bazë: Kërri, Durant, Tompson, Grin, Kouzins. Prej 40 vitesh, një ekip në NBA nuk kishte një pesëshe tërësisht prej “All Stars Game”. Durant u shpall lojtari më i mirë i finaleve, për të dytin vit radhazi, diçka që e kanë bërë më parë vetëm Majkëll Xhordan (dy herë), Hakim Olaxhuon, Kobi Brajant, Shakil O’Nil dhe Lebron Xhejms.
Sfidanti.al