Ende nuk quhet tenisti më i mirë në histori, këtë vend për momentin e ka zënë Rozher Federer, por Novak Gjokoviç ka mënyrën e tij për të vendosur rekorde. Suksesi në turneun Masters të Sinsinatit, pikërisht ndaj Federerit, bëri që serbi të bëhej i pari dhe i vetmi nga meshkuj që ia del të fitojë të gjithë turnetë Masters. Ky sistem u krijua së pari në 1990 me 9 turne Masters, dhe “Nole” u bë i pari që ia doli në të gjithë.
Tashmë, ai synon të fitojë Grand Slemin e 14-të në karrierë, atë në US Open, turne që fillon shumë shpejt. Edhe pse nuk do të jetë kokë serie, Gjokoviç mund të quhet favorit, përderisa triumfoi në Uimbëlldon. Jo më kot, ai kryeson në duelet personalë me Federerin dhe Nadalin (edhe pse tepër ngushtë), ndërsa në renditjen e parave të fituara, është në vendin e dytë në histori. “Nole” ka fituar mbi 115 milionë USD, ndërsa Federer kryeson me mbi 117 milionë.
Sfidanti.al