Një investigim gazetaresk i kryer nga reporteri gjerman Jens Gideon në emër të transmetuesit televiziv ARD nxjerr në dritë dy gabime serioze që mendohet se kanë luajtur një rol për fat keq vendimtar në shkaktimin aksidentit dhe më pas në përkeqësimin e mundshëm të gjendjes së legjendës gjermane, Michael Schumacher, i cili më 3 janar do të mbushë 55 vjeç. Gabimi i parë, në thelb, është kryer nga vetë legjenda e Formulës 1, duke dalë jashtë pistës (edhe pse vetëm për disa dhjetëra metra) në kushtet e borës së pamjaftueshme, siç i është raportuar gazetarit nga instruktorët vendas të skive. Shumakeri përfundoi duke goditur një gur të madh që doli nga sipërfaqja me borë.
Gabimi i dytë i atribuohet vlerësimit fillestar jo të saktë të gjendjes të Shumakerit nga shpëtuesit e ndihmës së parë, të cilët në operacionin e shpëtimit me helikopter kishin synuar spitalin më të afërt (në Moutiers), ndërsa më pas do të niseshin për në Grenoble, duke humbur minuta të çmuara dhe potencialisht vendimtare.
Ndërkohë, gjendja aktuale e Shumakerit vazhdon të mbetet një temë shumë sekrete, për të cilën në disa raste të fundit ish-presidenti i FIA-s, Zhën Todt ka dhënë informacion tepër të kufizuar. Todt ka theksuar gjithnjë qëndrimin e familjes së pilotit për të ruajtur privatësinë, pa dhënë detaje mbi gjendjen e mikut të tij. Gjithsesi ai në disa raste ka bërë të ditur se pak vite më parë ka ndjekur gara të Formulës 1 në TV së bashku me Shumin.
sfidanti.al