Frum hipotekon Turin e Francës, kronometri është specialitet i tij!

Franca thërret “Romen Barde”, por Turi bërtet “Kris Frum”. Çiklisti anglez u mbrojt mirë në etapën e fundit malore dhe është në pritje të konfirmimit në etapën e parafundit të garës së këtij viti, atë të kronometrit individual në Marsejë. Me 23 sekonda mbi Bardenë dhe 29 sekonda mbi kolumbianin Rigoberto Uran, kampioni në fuqi mund të thotë me plot gojën se ka fituar përsëri. Përse? Barde dhe Uran nuk janë kronometristë të këqinj, por nuk mund të zhbëjnë një distancë të tillë kohore në vetëm 22 km, ndërsa etapa e fundit në Paris është më shumë një shëtitje. Sa për të pasur idenë se çfarë shansesh ka Frum, mjafton të kujtojmë se në kronometrin e parë të këtij Turi në Dyseldorf, britaniku i Skuadrës Skaj fitoi 39 sekonda ndaj Bardesë dhe 50 ndaj Uranit. Duket se ai do të fitojë Turin e katërt në karrierë, për të qenë shumë pranë rekordit që mbahet nga të mëdhenjtë Edi Merks, Zhak Ankëtil, Bernar Hino e Migel Indurain me nga 5 fitore secili.

Sfidanti.al