Flamurtari del sërish kampion në basketboll për femra!

Prej kohësh nuk po u gjendet rival. Flamurtari vazhdon të dominojë basketbollin për femra në Shqipëri dhe ja ku erdhi një tjetër trofe. Vajzat vlonjate fituan titullin kampion pasi triumfuan në finalen e katërt të plej ofit ndaj Partizanit në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Rezultati në kryeqytet ishte 80-73 duke treguar për rivalitet, ndërsa vendasit kryesuan deri në pushimin e ndeshjes. Sidoqoftë, përvoja bëri të vetën dhe ekipi i trajneres Elona Hasanaj përballoi presionin psikologjik për të realizuar objektivin. Ky ishte titulli i 25-të kampion në histori për Flamurtarin, dhe sundimi në vend duket nga fakti se ka fituar 16 nga 18 kampionatet e fundit.

Natyrisht, Tirana është ende larg pasi ka mbi 40 trofe, por gjithsesi skuadra nga Vlora është pjesë e historisë. Nën drejtimin e kapitenes Tea Memushi, Flamurtari ka arritur thuajse çdo sukses këtë sezon. Femra me fanelat kuqezi kanë fituar titullin kampion, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë, Superkupën Mbarëkombëtare dhe Kupën e Federatës. E vetmja disfatë ishte në finalen e Ligës Unike, kur Partizani triumfoi në Vlorë.

Sfidanti.al