Ferrari rikthehet të shkëlqejë; fiton provat e lira në Malajzi

Ferrari e la pas krahëve katastrofën që krijoi në Çmimin e Madh të Singaporit për të shkëlqyer në Malajzi. Sebastian Vettel ishte i paarritshëm në pistën e Sepangut duke triumfuar në provat e lira. 4 herë kampioni i botës ishte dominues në sesionin e dytë të këtyre provave të cilat i mbylli me kohën rekord 1 minutë 31 sekonda e 261 të mijtat. Menjëherë pas gjermanit, kohën e dytë më të mirë e regjistroi ferraristi tjetër, Kimi Raikkonen, ndërkohë që në vendin e tretë dhe të katërt u pozicionuan 2 pilotët e Red Bull, Daniel Ricciardo e Max Verstappen. Befasoi në provat e lira të së premtes Fernando Alonson që u rendit në vendin e pestë, ndërkohë që Mercedes u pa në vështirësi të mëdha me Hamilton që u rendit i gjashti me 1.4 sekonda më shumë se  Vettel, ndërsa Bottas nuk shkoi më shumë se vendi i 7. Provat e lira u mbyllën 7 minuta më herët për shkak të një aksidenti të pësuar nga Grosjean që për fatin e mirë të tij nuk pati pasoja.

sfidanti.al