Ferrari kërkon durim me Hamilton

Shefi i skuadrës së Ferrarit në Formula 1, Frédéric Vasseur, ka komentuar situatën që po kalon ylli i ri i “Kokëkuqes”, Lewis Hamilton, dhe vështirësitë që po përjeton shtatë herë kampioni i botës në përshtatjen me ambientin e ri në Maranello. Britaniku iu bashkua ekipit italian në fillim të këtij viti, por përveç fitores në sprintin e Kinës, paraqitjet në katër garat e para të sezonit kanë qenë larg pritshmërive. Pas garës në Bahrein, Hamilton vetë pranoi se ndryshimi i ambientit po ndikon në ritmin e tij dhe tani Vasseur e ka mbështetur publikisht, duke theksuar se përshtatja kërkon kohë. “Nuk mund të fshish 12 vite kujtime në dy javë apo dy gara. Sigurisht që duhet të përmirësohemi, por kjo vlen për të gjithë në ekip, për çdo njeri në paddock – është në ADN-në tonë të përpiqemi të bëjmë një punë më të mirë. Është pozitive që edhe Lewis mendon njësoj.

Ne po punojmë për të përshtatur makinën me stilin e tij, por edhe ai duhet të përshtatet me makinën. Dhe besoj se të dyja palët po punojnë mirë në këtë drejtim,” – u shpreh Vasseur. Francezi gjithashtu dha një shpjegim përse rezultatet e Hamiltonit duken dukshëm më të dobëta se ato të shokut të tij të skuadrës, Charles Leclerc. Në Bahrein, Leclerc u nis nga rreshti i parë pas penalizimit të George Russell, ndërsa Hamilton nisi nga vendi i nëntë. “Formula 1 sot është shumë ndryshe nga sa ishte disa vite më parë. Atëherë kishte diferenca sekondash mes skuadrave, ndërsa tani pesë të dhjetat e një sekonde mund të të kushtojnë disa pozicione në nisje. Gjithçka është relative. Prandaj duhet të ruajmë qetësinë kur flasim për paraqitjet e tij. Një fundjavë mund të kalojë nga premtuese në zhgënjyese dhe anasjelltas brenda ditës. Pas kualifikimeve, pata një bisedë të gjatë me Lewis për ta motivuar dhe kjo u reflektua në garë – ishte në një formë shumë të mirë. Le të nisim këtë fundjavë nga ai moment dhe të shohim si shkojnë gjërat.” Me shumë sy të drejtuar nga Hamiltoni dhe Ferrari, duket se ky fillim sezoni është vetëm kapitulli i parë i një bashkëpunimi që kërkon kohë, durim dhe shumë punë për të dhënë frytet që tifozët presin.

sfidanti.al