Feniksi nuk e lejon Jokiçin të festojë Çmimin e Lojtarit të Vitit!

Dikur ishte kandidat për titullin në NBA, kur në formacion kishte lojtarë si Çarls Barkli. Feniks Sans duket se është kthyer sërish në ato nivele, ndonëse jemi ende në gjysmëfinale të Konferencës dhe seria nuk ka përfunduar aspak. Gjithsesi, skuadra e “diejve” e tregoi veten duke shkëlqyer fort me një fitore të madhe ndaj Denver Nagetsave, të udhëhequr nga Lojtari më i mirë i NBA-së për këtë sezon, Nikola Jokiç. Basketbollisti serb nuk luajti keq, shënoi 24 pikë, kapi 13 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, por ai u duk vetëm, ndërsa përballë tij për Feniksin shkëlqyen disa yje.

Kris Pol po tregon nivelin e tij më të mirë, dhe me 17 pikë e 15 asistë, plus 5 topa në tabela dirigjoi vendasit në fitoren e thellë dhe të merituar, 123-98. Kjo ishte humbja më e rëndë e sezonit për Denverin dhe një paralajmërim i Feniksit për basketbollin amerikan. Devin Buker shënoi 18 pikë dhe kapi 10 topa në tabela, Brixhs shtoi 16 pikë, ndërsa Ejton pati 15 pikë e 10 topanë tabela. “E nisëm fort, – tha Pol, – më pas u bëmë edhe më të fortë, ndërsa gjithçka u bë e çmendur më pas”. “Ata po luajnë më mirë sesa ne, – pranoi Jokiç, – po shënojnë kosha, po gjejnë njeriun e lirë për të gjuajtur. Ne duhet të ndryshojmë gjithçka, ndryshe e kemi keq”.

Sfidantia.al