Feniksi (dhe Kris Poli) treguan sesi mund të thyhet Miluoki i Janisit!

Në fuqi mbetet përfundimi i Finales së Madhe të NBA-së sezonin e kaluar, kur Baksat e Adetokumbos fituan titullin pikërisht përballë Sansave. Gjithsesi, kur triumfon 131-107 ndaj kampiones në fuqi, që kishte thuajse ekip të plotë, kënaqësia është e madhe. Jo më kot Feniksi është skuadra më e mirë këtë edicion me 45 fitore e vetëm 10 humbje, dhe me 15 fitore në 16 ndeshjet e fundit. Protagonisti kryesor për suksesin ishte Kris Pol, pasi organizatori shërbeu 19 asiste që nxorrën huq mbrojtjen e fortë të Miluokit, me Adetokumbon, Midëltonin apo Holidein. Pol pati edhe 17 pikë, ndërsa Devin Bukeri nuk u lodh shumë me 17 pikë. Për pikët menduan Ejton (27), Brixh (18), Xhonson (12), Mekgi (12) apo Krauder (10). Pra, për pikët menduan të gjithë. Adetokumbo pati një mbrëmje të keqe me vetëm 18 pikë, 7 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa gaboi shumë në gjuajtje. Feniksi është në vend të parë në Perëndim, ndërsa Miluoki është i katërti në Lindje.

Sfidanti.al