Në pistën e Red Bullit nuk u paraqit aspak keq, ndonëse nuk e mori dot “pole position”-in. Ljuis Hamilton, madje, pati edhe një kokëçarje tjetër, pasi u ndëshkua nga komisarët e Çmimit të Madh të Austrisë sepse pengoi Kimi Raikonenin gjatë provave zyrtare. Nga vendi i dytë në pistë, u zbrit në të pestin. “E meritova”, ishin fjalët e anglezit, edhe për dënimin, edhe për gishtin e mesit që i tregoi finlandezi, por gjithsesi ai mund të quhet i lumtur.
Kjo, sepse rivali i tij kryesor në garën për titull është edhe më fatkeq. Sebastian Fetel mund të kishte përfituar, por nuk ia doli. Pikërisht në sesionin e tretë të provave, makina e tij Ferrari “nuk iu bind” për shkak të një “defekti banal” (siç do ta quante shefi Binoto). Kjo bëri që Fetel të jetë në vendin e 9-të në startin e nesërm, ndërsa fitoi një vend pasi Magnusen u dënua nga vendi i 5-të në të 10-in. Hamiltoni ka 76 pikë epërsi ndaj Fetelit, dhe 36 pikë më shumë sesa Valteri Botas, shoku i tij i skuadrës, që do të niset i treti.
Provat zyrtare i fitoi Sharl Leklerk i Ferrarit, hera e dytë në karrierë dhe në sezon, duke dhënë kohën 1’03”003. Hamilton mbylli xhiron e tij 1’03”262, por duhet të bëjë një mrekulli të vogël për të fituar.
Sfidanti.al