F1, koleksioni më i çmuar i planetit del në shitje

Berni Ecclestone, ish-pronari i Formula 1, ka vendosur të nxjerrë në shitje koleksionin e tij mbresëlënës të makinave sportive, që cilësohet si më i vlefshmi në botë. 94-vjeçari mendon se shitja e këtyre makinave do të sjellë në llogaritë e tij bankare rreth 362 milionë euro. Në prononcimin e dhënë për “Daily Mail”, miliarderi Ekleston ka bërë të qartë se nuk dëshironte t’i linte barrën bashkëshortes së tij 48-vjeçare, Fabiana, që të vendoste se çfarë duhej bërë me këto makina ikonike. “Jam 94-vjeçar dhe me pak fat, më kanë mbetur edhe disa vite jetë, kush e di? Por nuk desha t’i lija Fabit pikëpyetjen e çfarë të bënte me to kur të mos jem më”. Ekleston nisi të blinte makina garash në fillimin e viteve ’70 duke krijuar një koleksion unik në të cilin janë 69 makina, të gjitha për shitje. Mes tyre janë Ferrari që i përkitnin Mikael Shumaker, Niki Lauda apo Majk Houthorn. Makina më e veçantë e koleksionit është Ferrari me të cilin Shumaker fitoi titullin në vitin 2002. Gjithashtu pjesë është edhe makina Vanuall VW10 e Sër Stiling Mos, me të cilin ai fitoi titullin e parë për konstruktorë të skuadrës së tij 66 vite më parë. Makinat nuk do të nxirren në ankand të hapur, por është caktuar një kompani private që merret me shitjen e automjeteve historike, që të negociojë me blerës të veçantë që shfaqin interes për to.

sfidanti.al