Ishin gati 10 000 tifozë në një nga sallat më të bukura të basketbollit në Europës. Ata nuk u zhgënjyen pasi skuadra vendase, Reali i Madridit, e fitoi ndeshjen e parë çerekfinale të Euroligës ndaj turqve të Darushafakasë. Edhe pse u godit në periodën e parë, që e humbi me 8 pikë diferencë, skuadra vendase e trajnerit Pablo Laso nuk la shteg në 20 minutat e mëpasme, duke përmbysur shifrat. Në periodën e katërt pati ekuilibër dhe përfundimi ishte 83-75 për madrilenët, nëntë herë kampionë të Europës. Sergio Jul ishte më i miri me 23 pikë si dhe me 6 asistë. Gustavo Ajon shënoi 14 pikë, ndërsa Entoni Randolf pati 9 pikë, por plot 7 topa në tabela. Darushafakaja pati dy amerikanët në formë shumë të mirë, Uonëmejkër me 21 pikë dhe Klajburn me 15.
Çerekfinalja tjetër u luajt në Greqi, ku Olimpiakos fitoi derbin me turqit e Anadolu Efesit. Grekët, me histori të lavdishme në Euroligë, patën epërsi dhe triumfuan 87-72 në një përballje që nuk pati histori, ndryshe nga disfata një mbrëmje më parë e Panathinaikosit, brenda në Athinë me Fenerbahçen e Stambollit. Plot 5 lojtarë shënuan mbi 10 pikë si Manxharis, Princezis, Milutinov, Spanulis dhe Grin. Skuadra greke dominoi tabelat dhe pati epërsi në çdo periodë, me përjashtim të asaj të fundit ku gjithçka ishte vendosur.
Sfidanti.al