Reali i Madridit është sërish një pretendent për titull në Euroligë, veçse nuk mundet të fitojë çdo ndeshje. Përballja në fushën e Fenerbahçes, nënkampione në fuqi, ishte një nga ata “misione të pamundur”, që vërtet nuk u përmbush. Madrilenët e trajnerit Pablo Laso u mposhtën vetëm për 1 pikë, 77-78, në një duel ku u luftua pikë më pikë. Në fund, të besuarit e trajnerit më të mirë të Europës, Zheljko Obradoviç, nën shtysën e 12 400 tifozëve, ia dolën të merrnin fitoren. Amerikani Nanëlli shënoi 18 pikë për turqit në Stamboll, Ekpe Udoh shtoi 14 pikë dhe 10 topa në tabela, ndërsa greku Kostas Slukas shënoi 11 pikë dhe shërbeu 6 asistë. Për Realin nuk mjaftuan Randolf dhe Jul.
Një tjetër sfidë pikë për pikë u luajt në Gjermani. CSKA e Moskës, kampionia në fuqi e Europës, mposhti 90-88 Broze Basketin në Bamberg. Rusët e nisën më mirë, por në fund gjermanët thuajse përmbysën rezultatin. Millosh Teodosiç prsëri ishte “qiellor” me 31 pikë dhe 8 asistë, dhe pas tij rusi Voronceviç me 15 pikë. Pas 10 javëve të para të Euroligës, CSKA kryeson me 9 fitore dhe vetëm 1 humbje, ndjekur pikërisht nga Reali i Madridit dhe Fenerbahçe me nga 7 fitore e 3 humbje.