Emri i Kimi Räikkönen përdoret në skema mashtruese

Kriminelët po përdorin emrin e Kimi Räikkönen për të promovuar skema mashtruese me kriptomonedha. Lajmi është bërë i ditur nga Sami Visa, menaxher dhe zëdhënës i ish-pilotit finlandez, kampion bote në Formula 1 në vitin 2007.

Sipas Sami Visa, këto mashtrime janë më të zakonshme në rrjetet sociale, ku publikohen tituj të rremë me emrin dhe foton e Räikkönen. Linku i bashkangjitur i çon përdoruesit në një faqe të falsifikuar, e cila duket sikur është pjesë e një medieje të njohur finlandeze. Në këtë faqe, Kimi ‘premton’ kthime të mëdha financiare dhe fitime të jashtëzakonshme nga investimet në kriptomonedha. Formati i faqes mashtruese është i sofistikuar. Aty është vendosur një lajm i rremë, ku pretendohet se Kimi Räikkönen ka fituar miliona euro përmes investimeve në kriptomonedha dhe po ndan ‘këshilla’ për të tjerët që duan ta ndjekin shembullin e tij.

Në një deklaratë për mediet finlandeze, Räikkönen sqaroi se e gjitha kjo është një gënjeshtër dhe se avokatët e tij tashmë kanë kontaktuar administratën e rrjeteve sociale ku janë shpërndarë këto reklama mashtruese.

“Këto tentativa mashtrimi shfaqen rregullisht. Mashtruesit përdorin edhe emra të tjerë të njohur në Finlandë. Ne kemi raportuar disa herë në polici, por deri më tani pa sukses. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm. Kimi Räikkönen nuk ka marrë dhe nuk merr pjesë në reklama të lidhura me kriptomonedhat. E njëjta gjë vlen edhe për bashkëshorten e tij, Minttu Räikkönen,” thuhet në deklaratë.

sfidanti.al