Futbollistët të tronditur nga tërmeti në Myanmar

E gjithë bota është e tronditur nga ajo që ndodhi në Myanmar, që u shkatërrua nga një tërmet me magnitudë 7.7, që lëkundi jo vetëm Birmaninë, por edhe Tajlandën, Indinë dhe Kinën. Një katastrofë dhe një tragjedi, me viktima që mund të numërohen me mijëra në Myanmar. Dëshmitë tregojnë qartë përmasat e ngjarjes dhe tmerrin e atyre që arritën të shpëtonin. Mes tyre janë edhe dy futbollistë që ndodheshin në Bangkok në momentin kur ndodhën lëkundjet e para të fuqishme.

Bëhet fjalë për Mahmoud Eid dhe Viktor Lövgren, të cilët luajnë për Bangkok United, ekip i elitës së kampionatit tajlandez. I pari, suedez i natyralizuar palestinez, tregoi për Sportbladet sesi arriti të shpëtonte, duke u larguar me panik nga një qiellgërvishtës, ku jeton në katin e dymbëdhjetë: “Ishte ora një e drekës, isha i shtrirë në divan dhe po flisja me të fejuarën time. Papritur, i gjithë apartamenti nisi të dridhej dhe ndërtesa filloi të lëkundej”.

Si arritën të shpëtonin nga tërmeti?

Fillimisht pati tronditje dhe hutim, më pas çiftit iu desh të largohej sa më shpejt për të shpëtuar: “Nuk e kuptonim saktësisht se çfarë po ndodhte, derisa fragmente të ndërtesës nisën të binin. E vumë re që po fillonte të shembej. Hapëm derën dhe pamë që të gjithë të tjerët po vraponin jashtë. Atëherë, rendëm edhe ne sa më shpejt të mundeshim, duke përdorur shkallët e emergjencës. Kjo është hera e parë që kam pasur aq shumë frikë në jetën time”.

Për 31-vjeçarin, i cili është edhe pjesë e përfaqësueses së Palestinës, është e vështirë të rikthehet me mendje tek ajo që ndodhi: “Mendova se ishte fundi. Ndërsa ndërtesa lëkundej, shumë objekte nisën të bien nga çatia. Si unë, ashtu edhe Amanda, e fejuara ime, ndjemë se gjithçka kishte mbaruar. Por arritëm të shpëtonim dhe të mbijetonim. Deri tani, di që ndërtesa jonë ka qëndruar në këmbë. Por e fejuara ime pa se muret e apartamentit tonë nisën të çaheshin.”

Të njëjtat ndjesi ka përjetuar edhe Lövgren, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur mes Suedisë dhe Norvegjisë, përpara se të provonte fatin në Bangkok: “Jemi ende të tronditur. Na u desh të evakuonim ndërtesën menjëherë, gjithçka lëkundej dhe objekte po binin kudo. Ishte e frikshme, kishim kohë të mendonim vetëm për një gjë: gjithçka po mbaronte. Mendonim se ndërtesa do të shembej”.

sfidanti.al