Edhe pse 40 vjeç, Novicki nënshkruan kontratë të re me Dallasin

Dik Novicki, basketbollisti veteran i ekipit të NBA-së, Dallas Maveriks, nënshkroi një kontratë të re njëvjeçare, njoftoi klubi në fjalë. Novicki 40-vjeçar do të luajë sezonin e tij të 21-të me bluzën e “viçave”, me të cilët ai fitoi titullin e kampionit në vitin 2011. Kur Novicki të luajë ndeshjen e parë në sezonin e ri, atëherë, ai do të thyejë rekordin e Kobi Brajantit dhe do të bëhet basketbollisti i parë në historinë e NBA-së që ka luajtur më shumë se 20 sezone me një ekip.
Sezonin e kaluar, Novicki luajti në 77 ndeshje dhe mesatarisht shënoi 12 pikë dhe bëri 5,7 kërcime për ndeshje. Ky basketbollist gjerman është 213 cm i gjatë dhe ndodhet në vendin e 6-të të “listës së përjetshme” të koshashënuesve më të mirë të NBA-së me 232 pikë mbrapa Uilt Çemberleinit dhe 149 pikë para Lebron Xhejmsit.
Sfidanti.al