Edhe Çarls Barkli bën “sakrilegjin” të krahasojë Antetokumbon me Xhordanin!

Ka qenë kundërshtar i Majkëllit të shkëlqyer të Bullsave, ndërsa greko-afrikanin e ndjek nga Pallati i Sportit ose nga televizori. Gjithsesi, Çarls Barkli ka një vlerësim shumë të lartë për Janis Antetokumbon duke bërë edhe “mëkatin e madh”, të krahasimit me “Ajrorin Xhordan”. Ish-lojtari qendër i Feniksit është i habitur nga energjia dhe kontributi që ylli i Miluokit jep në çdo ndeshje. “Sot ka dy lojtarë në NBA që luajnë në çdo ndeshje në një nivel që është i paarritshëm, – tha ai, – po flas për Rasëll Uesbrukun dhe Janis Antetokumbon. Në kohën time, askush nuk luante si këta, madje as Xhordani nuk jepte në çdo ndeshje këtë nivel energjie dhe përkushtimi”. Barkli bëri të qartë se Xhordani mbetet më i madhi i të gjitha kohëve për atë që ka bërë në karrierë, që fitoi 6 tituj kampion në NBA dhe theu rekorde, ndërsa Antetokumbo është më i madh në drejtim tjetër. Ndoshta edhe Janisi mund ta udhëheqë Miluokin drejt titujve si Xhordani.

Sfidanti.al