Manu Xhinobili (apo Ginobili në spanjisht) fare mirë sot mund të ishte i ulur në një karrige komode në Arenën e San Antonios duke ndjekur një ndeshje basketbolli të nivelit më të lartë të mundshëm. Por jo! As në moshën 39-vjeçare, argjentinasi nga Bahia Blanka, nuk e mendoi kurrë që të hiqte fanelën e tij të shquar me numrin 20, këpucët atletike (besohet Najk) dhe t’i jepte fund karrierës. Dhe nuk bëhet fjalë për një njeri që lyp të pranohet.
E tregoi në mbrëmjen e ndeshjes së pestë të plej ofit, në gjysmëfinalen e Konferencës Perëndimore, pikërisht në sekondat e fundit, ndërsa Xhejms Harden vrapoi të barazonte sërish rezultatin për Hjustonin dhe ta dërgonte përballjen në shtesën e dytë. Provoi, por nuk ia doli sepse nga prapa tij, si një hije, u shfaq pikërisht Xhinobili, që spanjollët e lexojnë me G. Me një veprim që e ka bërë kaq shumë herë në karrierë, ai largoi topin pa faull dhe ndeshja përfundoi 110-107 për skuadrën vendase që kryesoi 3-2.
Fillimi i komentit për Manunë, në faqen zyrtare të NBA-së ishte: “E vetmja gjë që e dimë të sigurt se “Gjyshi lëng frutash” nuk e bën dot është që të rrisë edhe një herë flokët në kokën e tij, gjithë të tjerat mund të diskutohen”. Xhinobili u shfaq në momentin kur San Antonio pati më shumë nevojë. Tim Dankën sapo i ka dhënë fund karrierës, Toni Parker ishte jashtë plej ofit i dëmtuar dhe Leonard sapo u dëmtua. Spërsat u dukën të dënuar që të dështonin në synimin për titull, sidomos ndaj të tillëve si Golden Stejt apo Klivlend. Në 15 sezone në NBA, Manu ka fituar 4 tituj dhe ende nuk është ngopur.
Sfidanti.al