Golden Stejt Uorriors dhe Los Anxhelos Lejkërs pësuan humbje të ngjashme si “dy pika uji”, në ndeshjet e fundit në NBA. Skuadrat e mëdha, ndër favorite kryesore për të dalë në finalen e ligës më të fortë të botës, u mposhtën në sekondat e fundit nga koshat e kundërshtarëve.
Ishte Damien Lilard që shënoi koshin tripikësh ndërsa kishin mbetur 6.3 sekonda, për të fiksuar rezultatin final, 110-109 për miqtë. Lilard shënoi 21 pikë në vizitën ndoshta të fundit në Arenën e qytetit të tij të lindjes.
Lejkërsat, e patën më të justifikuar humbjen në fushën e Sakramentos, sepse ylli kryesor i tyre, Lebron Xhejms, ishte i dëmtuar. Kingsat fituan 117-116 falë një koshi tripikësh të shënuar nga Bogdan Bogdanoviç në sekondën e fundit, ndonëse ishin në -15 pikë ndaj kalifornianëve.
Dy skuadrat e mëdha po humbasin për arsye të ndryshme, Golden Stejti sepse yjet e saj janë të ngopura me tituj dhe rekorde, ndërsa Lejkërsat sepse yjet e atyshëm nuk e kanë ende përvojën e duhur për të pretenduar trofe (me përjashtim të Lebronit).
Gjithsesi, mbeten ekipet më të rrezikshme, në një kampionat që vendoset në plej of. Dikur, ndërsa Lejkërsat pësonin tri humbje radhazi, ylli i atëhershëm, Kobi Brajant lëshonte batutën: “Tri humbje radhazi, tre tituj radhazi”. Kështu mund të thonë sot edhe Stef Kërri, Kevin Duranti apo Lebron Xhejmsi.
Sfidanti.al