Në një intervistë për “L’Equipe”, drejtori i Ferrarit, Frederik Vasër, u rikthye të komentojë garën zhgënjyese në Kinë. Gëzimi i fitores së Sprintit në Shangai nga Luis Hamilton u venit shpejt me paraqitjen e dobët në Çmimin e Madh, për tu mbyllur me penalizimin e dyfishtë të makinave SF-25. Në analizën e tij Vasër flet për këtë fillimsezoni që ka nisur me malore për “kokëkuqen” dhe që sheh menjëherë MekLarenin të vendosë diktatin në pistë.
“Në profesionin tim është e rëndësishme të vlerësoj sa më mirë aspektet pozitive dhe negative për tu përmirësuar. Gjëra pozitive dhe negative ka në çdo garë, por ajo në Kinë ishte një fundjave me ekstreme për ne. Fatkeqësisht në memorie mbeten gjithmonë episodet më të fundit. U kthyem pak të frustruar nga Shangai, sepse ishim të bindur se kishim bërë një hap përpara në krahasim me Australinë. Në fund, pikët ishin më pak nga sa i parashikonim, por jemi të bindur se ndodhemi në rrugën e duhur”, deklaroi Vasër.
Më tej drejtori francez shtoi: “Fitorja nga Luis në Sprint ishte e rëndësishme, por ajo nuk varej nga projekti jonë, pasi ai është sigurisht më afatgjatë. Pa dyshim që triumfi me 7 sekonda avantazh ishte një tregues superioriteti në atë rast. Sa i përket ardhjes së Luisit, nuk ka asgjë të bujshme, sepse ky është Ferrari. Asgjë nuk është normale këtu, duke nisur nga pasioni që e rrethon, pasi asgjë nuk ndodh artificialisht te ne. Nuk jemi sforcuar për asgjë, madje nuk bëmë as një prezantim të mirëfilltë për makinën tonë. Por kanë qenë vetë mediat që i kanë bërë jehonë të madhe aventurës së re të Luisit”, shprehet Vasër. Më tej ai ndalet te piloti tjetër i Ferrarit, Sharl Lëklerk, i cili gjithashtu nuk ka pasur një fillim të mirë: “Sharl për momentin është më pak në qendër të vëmendjes, por ai është një djalë inteligjent. E ka kuptuar situatën dhe po e shfrytëzon në favor të tij, duke marrë më shumë kohë për veten dhe për ta forcuar edhe më shumë raportin me skuadrën. Pra është i përqendruar 100% vetëm në aspektet sportive të punës së tij”.
Në fund, Vasër foli sërish për skualifikimin e dyfishtë të makinave Ferrari në Shangai: “Mund të them që janë pjesë e lojës. Skualifikime ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, pasi kjo është Formula 1. Për të kërkuar fitoren duhet të jesh gjithmonë në limite për gjithçka dhe presioni është në maksimum. Sa më intensive të bëhet beteja, aq më tepër u afrohesh limiteve dhe ndërmerr rreziqe”.
sfidanti.al