Dragiç: “Nuk mund të vrapoja, por ekipi është gjithnjë më i madh sesa individi”

Goran Dragiç, mbas një pjese të parë fantsatike, nuk kishte më fuqi që të vazhdonte të luante me të njëjtin ritëm edhe në 20 minutat e dyta të ndeshjes finale të kampionatit evropian mes Sllovenisë dhe Serbisë (93-85), kështu që trajneri Kokoshkov ishte i detyruar që ta ulte atë në stol në më shumë se pesë minutat e fundit të ndeshjes. Mungesa e tij u ndje shumë në fushë, ndërsa Sllovania e uli në 10 pikë avantazhin e vet, por, megjithatë, në fund, triumfoi dhe u shpall kampione e Evropës.

“Cila është Sllovenia? Kampione e Evropës!”, thirri Dragiçi para gazetarëve dhe shikuesve të shumtë. “Në pjesën e dytë të ndeshjes, mua më kapën disa ngërçe, thjesht, nuk mund të vrapoja. Andej nga fundi i ndeshjes, unë isha i raskapitur dhe trajneri, me të drejtë, më uli në stol, por ekipi ynë është fenomenal, nga basketbollisti i parë deri tek i fundit. Unë nuk mund të luaja, po ashtu edhe Luka Donçiç ishte dëmtuar, por këtu ishin Prepeliç, Vidmar, Blazhiç dhe të tjerët. Ndjenja është e papërshkruar, të gjithë ne jemi krenarë, ky është një trofe ekipi, një trofe nga neve për të gjithë Slloveninë”, vuri në dukje Dragiçi.

Sfidanti.al