Në ndeshjen e parë ishte i jashtëzakonshëm, por humbi. Këtë herë, Luka Donçiç ishte disi më “njerëzor”, por mjaftoi që Dallasi të fitonte ndaj Klipersave dhe të barazonte në 1-1 rezultatin e raundit të parë të plej ofit në NBA. Ylli slloven shënoi 28 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 7 asistë, duke i dhënë një ndihmë të madhe skuadrës nga Teksasi që triumfoi me diferencë, 127-114 ndaj skuadrës së tretë më të mirë të sezonit të rregullt.
Donçiç luajti pak në gjysmën e dytë të ndeshjes, pasi pati 4 gabime personale, e nëse do të kishte qenë në parket, do të kishte vendosur një rekord më të madh, e do të kishte arritur tripëll dabëllin (ose do të ishte përjashtuar). Ai bëhet i dyti lojtar në historinë e NBA-së që shënon 70 pikë ose më shumë në dy ndeshjet e para të tij në plej of. Në ndeshjen e parë, 21-vjeçari realizoi 42 pikë. Po ashtu, 8 topat në tabelë janë rekord personal në plej of. Dallasi, gjithsesi luajti si ekip ndaj edhe fitoi. Porzingis pati 23 pikë, Hardëuej 17, dhe rezervat shkëlqyen. Bërk shënoi 16 pikë, Seth Kërri 15 dhe qendra serbe, Marjanoviç pati 13 pikë e 9 topa në tabela. Klipersave nuk u mjaftoi Leonardi që shënoi 35 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 2 asistë.
Sfidanti.al