Do të mundet Miluoki e Antetokumbo të fitojnë titullin? Së pari, të kalojnë Majemin!

Askush nuk priste ndonjë shëtitje, por ndoshta këtë nuk e kishte menduar. Miluoki, skuadra më e mirë e sezonit të rregullt në NBA, e nisi me humbje serinë gjysmëfinale të plej ofit në Konferencën Lindore, duke u mposhtur nga Majemi, 115-104. Në një edicion të veçantë ku luhet në fushë neutral dhe pa tifozë, skuadra e drejtuar nga Janis Antetokumbo pati përballë një kundërshtar më të shlodhur, por edhe më të gatshëm për të fituar, të drejtuar nga veterani Xhimi Batler.

Ylli 30-vjeçar arriti rekordin personal në plej of me 40 pikë, të cilave u shtoi 4 topa në tabela, 2 asistë e 2 vjedhje topi. Batleri ishte shumë i saktë nga fusha, ndonëse shpesh u ndalua nga mbrojtja e Miluokit. Një tjetër veteran nuk mbeti prapa, dhe ky ishte slloveni Goran Dragiç me 27 pikë, 6 topa ne tabela e 5 asistë. Majemi luajti fort si ekip, ku kontribut të madh dhanë edhe Adebajo, Krauder apo Herro.

Po Miluoki çfarë pati? “Ne kemi qenë edhe më përpara këtu, – tha kapiteni Antetokumbo pas humbjes, – urime Majemit për ndeshjen dhe fitoren, por jam i sigurt se do të reagojmë. Nuk ka asgjë të lehtë në këtë ligë, ndaj duhet të sakrifikojmë për të arritur objektivat tona”.

Antetokumbo ishte më i miri për Miluokin me 18 pikë, 10 topa në tabela e 9 asistë, pra shumë pranë një tripëll dabëlli, por sasia e tij e pikëve ishte shumë më e vogël se zakonisht, i ndalur nga mbrojtja e fortë e Majemit. Kris Midëllton shkëlqeu me 28 pikë e Bruk Lopez me 24, por pjesa tjetër e skuadrës nuk iu përgjigj dot nivelit të ndeshjes. Miluoki e nisi më mirë ndeshjen, por nuk vazhdoi dot kështu, ndërsa Majemi nisi shkëputjen në 3 minutat e fundit duke marrë fitoren.

Sfidanti.al