Dikur rivalë për tituj, sot CSKA e Makabi janë “vite drite” larg

CSKA e Moskës njihet si superfuqi e basketbollit europian, thuajse po aq shumë sa Reali i Madridit, veçse edhe Makabi i Tel Avivit nuk bie shumë poshtë. Flasim për historinë, sepse e tashmja e sheh në “humnerë” skuadrën më të mirë të Izraelit, që thuajse nuk ka asnjë izraelit në përbërje. U pa qartë nga katastrofa që pësoi në fushën e vet ndaj CSKA-ja në ndeshjen e javës së 24-ët të Euroligës, me përfundimin 93-73 për rusët.

Kanë kaluar me sa duket kohët e arta të Dororm Xhamshit, ndërsa ekipi 6 herë kampion i Europës dhe 9 herë nënkampion, ngjan vetëm si hija e vetvetes. Edhe pse pati 10 500 tifozë në përkrahje në “Arenën e Tel Avivit, sërish nuk mundi të bënte asgjë përballë kampionëve të Europës të dy viteve më parë. Norrik Koul shënoi 13 pikë për Makabin, kapi 4 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, ndërsa Xhonah Bolden shënoi 12 e kapi 6 topa në tabela.

Për moskovitët shënuan të gjithë, me përjashtim të Viktor Hriapës që nuk luajti. Edhe në skuadrën ruse ka pak rusë, por të paktën Kurbanov, Voronceviç, Frixhon e Antonov e bënë diçka, ndërsa më të mirët ishin francezi De Kolo me 19 pikë e amerikani Kori Higing me 16.

Fitorja bëri që CSKA-ja e trajnerit grek Dimitrit Itudis ta arrijë kualifikimin 6 ndeshje para fundit (19 fitore, 5 humbje), ndërsa Makabi rrezikon të mbetet jashtë çerekfinaleve. Ndër skuadrat e tjera, një sfidë e vërtetë për rusët është Zhalgiris i Kaunasit, ekipi i rilindur lituanez që mundi në fushën e tij Barcelonën, 90-74, Valencia theu në Spanjë Broze Basketin, 86-70, ndërsa Milano pati më në fund një fitore, në fushën e saj, ndaj Anadolu Efesit, 77-64. Së fundi, Baskonia e Spanjës fitoi në Arenën e vet ndaj Himkit të Moskës, 87-77, në një duel direkt për kualifikim.

Renditja: CSKA 19-5, Olimpiakos 16-7, Fenerbahçe 16-7, Zhalgiris 15-9, Real Madrid 14-9, Panathinaikos 14-9, Himki 14-10, Makabi 12-12, Baskonia 11-13, Malaga 10-13, Crvena Zvezda 9-14, Valencia 9-15, Broze Basket 9-15, Milano 8-16, Barcelona 7-17, Anadolu Efes 6-18.

Sfidanti.al